• PËR NJË DREJTËSI PA VONESA

  • PËR NJË DREJTËSI PA VONESA

  • PËR NJË DREJTËSI PA VONESA

NISMA 

Në fillim të vitit 2013, Programi i USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri (Prezenca) gjetën një mundësi për të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme efiçencën gjyqësore duke forcuar menaxhimin aktiv të procesit gjyqësor ,  së pari në një gjykatë pilot e më pas edhe në gjykatat e tjera të rretheve gjyqësore. 

Shkak për këtë nismë u bënë studime të kryera nga JuST dhe Prezenca të cilat treguan se efiçenca e gjykimeve në gjykatat e shkallës së parë linte për të dëshiruar. Sipas njërit prej studimeve për proceset civile (Raporti i Prezencës “Drejt Drejtësisë” )  47.7% e seancave të vëzhguara ishin joproduktive. Këto ishin seanca gjatë së cilave nuk ndodhte asgjë thelbësore në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes,  me fjalë të tjera, asnjë pretendim i ngritur nga palët apo asnjë akt ose provë e paraqitur.  

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë shprehu interesin si gjykata e parë pilot për të vënë në provë disa parime bazë për një menaxhim më të mirë të procesit gjyqësor.  Kjo nismë u  titullua Projekti Pilot “Drejtësi pa vonesa”, por që në hapat e parë gjeti mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 

Projekti filloi me hartimin e një studimi mbi  ficiencën e gjykimeve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë. Në gusht-shtator 2013, Prezenca dhe JuST mblodhën të dhëna mbi kohëzgjatjen dhe shkaqet e shtyrjes së proceseve gjyqësore civile dhe penale. Pak muaj më vonë, në dhjetor 2013 të gjithë gjyqtarët dhe kancelari i gjykatës u mblodhën në një tryezë për të reflektuar mbi të dhënat e mbledhura në Gjykatën e Krujës dhe për të identifikuar zgjidhjet që do të reduktonin vonesat e panevojshme dhe do të përmirësonin shërbimin e gjykatës për qytetarët. Gjatë bashkëbisedimit, të drejtuar Z. Truman A. Morrison, gjyqtar me përvojë të gjatë në SHBA pranë Gjykatës Superiore të Distriktit të Kolumbias, u vlerësua nevoja për një plan të detajuar veprimesh. Ky plan përfshiu disa objektiva specifike për të shmangur seancat joproduktive, kohën e humbur dhe vonesat e panevojshme. Kështu, u mor përsipër zhvillimi i 4 seancave gjyqësore për çështjet komplekse civile, si dhei 3 seancave për çështjet penale. Këto objektiva do të realizoheshin përmes përmirësimit të praktikave për paraqitjen e provave, pregatitijen dhe planifikimin paraprak të pjesëmarrësve në gjykim si dhe njoftimin e palëve në të dhëna të sakta kontakti. I domosdoshëm ishte edhe angazhimi i palëve, i përfaqësuesve të tyre, prokurorëve, policisë, përfaqësuesve të institucioneve të interesuara në procesin gjyqësor (p.sh, institucionet e vuajtjes së dënimit, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Bashkia, Shërbimi i Provës, Zyra e Përmbarimit, etj.), i cili u sigurua nëpërmjet takimeve të posaçme. 

Pas një periudhe gjashtë mujore nga fillimi i Projektit “Drejtësi pa vonesa” në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë rezultatet ishin mjaft pozitive. Proceset gjyqësore për çështjet civile u reduktuan mesatarisht në 4.4 seanca nga 14 që zgjasnin më parë, dhe ato për çështjet penale në 3.6 seanca nga 8.8 të zhvilluara më parë. Po kështu, kohëzgjatja mesatare e çështjeve civile u zogëlua nga 284.2 në 67 ditë, dhe kohëzgjatja e çështjeve penale nga 135 në 44.6 ditë. Përveç kësaj, çdo gjyqtar arriti të dyfishonte numrin e çështjeve të përfunduara brenda të njëjtës periudhe kalendarike.

Gjykata e dytë që ju bashkangjit nismës ishte ajo e Rrethit Gjyqësor Korçë. Kryetari i kësaj gjykate u tregua menjëherë i gatshëm të zbatonte masa të ngjashme për reduktimin e vonesave të panevojshme. Në shtator 2014, Projekti “Drejtësi pa vonesa” u lançua zyrtarisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë  me mbështetjen e të gjitha organeve të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, institucioneve vendore dhe komunitetit përkatës. Mjaftuan pak muaj nga zbatimi i kësaj nisme dhe të dhënat statistikore treguan arritje të suksesshme në drejtim të uljes së seancave gjyqësore, dhe veçanërisht përsa i përket produktivitetit të tyre. Seancat joproduktive, ku asgjë nuk ndodhte për zgjidhjen e çështjes gjyqësore, u reduktuan  nga 35% në 2% në çështje civile, si dhe nga 25% në  7% në çështje penale.  

Në fillim të vitit 2015, dy gjykata të tjera u frymëzuan nga përvoja e gjykatave të rretheve Krujë dhe Korçë. Këto ishin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë. Aktualisht, masat e ndërmarra në kuadër të Projektit “Drejtësi pa vonesa” kanë gjetur vend të praktikën e këtyre dy gjykatave. Gjatë muajit dhjetor 2015, do të bëhen publike edhe rezultatet përkatëse të cilat janë në proces mbledhjeje. 

 

Evente të ardhshme

No events